27.02.2026
Zbarkon në Kosovë mundësi e rrallë nga instituti amerikan “CNM Ingenuity”
Po e ndajmë me ju një super lajm për ekosistemin e inovacionit, arsimit profesional dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë. Një hap i rëndësishëm ndërkombëtar është konkretizuar, duke e vendosur Prizrenin dhe Kosovën në hartën e programeve të licencuara amerikane në fushën e Data Science dhe Inteligjencës Artificiale.
Makerspace Innovation Center Prizren (MICP) është zyrtarisht i licencuar për të ofruar programet prestigjioze amerikane Data Science Bootcamp dhe Data Science for Business Leaders, në partneritet të drejtpërdrejtë me institutin amerikan CNM Ingenuity nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky partneritet përfaqëson një ngritje të re cilësore për arsimin profesional në Kosovë, duke sjellë për herë të parë një program të strukturuar sipas standardeve të një institucioni amerikan me përvojë të dëshmuar në përgatitjen e fuqisë punëtore për sektorët më të kërkuar të teknologjisë.
Bashkëpunimi është formalizuar përmes një marrëveshjeje licencimi, e cila i jep MICP-së të drejtën zyrtare për të implementuar këto programe sipas standardeve akademike dhe profesionale të CNM Ingenuity. Kjo marrëveshje nuk nënkupton vetëm përdorimin e emrit apo kurrikulës, por përfshin transferim të plotë të modelit të mësimdhënies, trajnimin dhe certifikimin e trajnerëve vendorë përmes programit “Train-the-Trainers”, asistencë teknike gjatë implementimit, si dhe mbështetje të vazhdueshme për të garantuar cilësi dhe përputhshmëri me standardet ndërkombëtare. Programet në Kosovë do të ofrohen me të drejtë ekskluzive nga MICP, dhe me mundësi zgjerimi në nivel rajonal, duke e pozicionuar vendin si një qendër potenciale për trajnime të avancuara në rajon.
Ky zhvillim realizohet me mbështetjen e Komunës së Prizrenit dhe Swisscontact përmes projektit Matching Skills to Jobs (MSJ). Ky partneritet institucional ka për synim zbutjen e hendekut mes aftësive që kërkon tregu i punës dhe atyre që ofrohen aktualisht, duke investuar në zhvillimin e aftësive të avancuara në Data Science. Përmes këtij modeli bashkëpunimi, po krijohet një urë e qëndrueshme mes arsimit, sektorit privat dhe institucioneve publike, me synim përmirësimin e punësueshmërisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së të rinjve dhe bizneseve në Kosovë.
Kjo marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm për transformimin digjital të vendit dhe përforcon vizionin për ndërtimin e një ekonomie që udhëhiqet nga njohuria, inovacioni dhe përdorimi strategjik i të dhënave.
Sign up for our newsletter to stay updated and receive the latest news, updates, and valuable insights.