21.06.2024
11 startup bizneset e këtij programi prezantuan para publikut punën e tyre të realizuar gjatë 6 muajve të inkubimit.
Më 20 qershor, 2024 në sallën e konferencave të ITP Prizren u mbajt eventi përmbyllës për kohortën e dytë të programit “Idea-to-Scale”. Ky program ka për qëllim të rrisë kapacitetet e të rinjve dhe të rejave të Prizrenit, duke siguruar zhvillimin e ekipeve përfituese me të gjitha resurset e nevojshme për përgatitjen e tyre profesionale.
Që nga viti 2022, programi është realizuar në dy kohorta dhe ka përfshirë 21 ekipe që ofruan zgjidhje inovative në veprimtaritë e tyre. Nga kohorta e dytë janë pranuar 84 aplikime prej të cilave 11 ekipe u zgjodhën për të përfituar nga ky program. Këto startup biznese vijnë nga industri të ndryshme duke përfshirë teknologjinë shëndetësore, teknologjinë edukative, inteligjencën artificiale, turizmin, sigurinë kibernetike, trashëgiminë kulturore, e-commerce, teknologjinë për patundshmëri, teknologjinë ligjore dhe platforma për punë të pavarur.
Ekipet e programit dëshmuan që pjesëmarrja e tyre në këtë program i ndihmoi ata në përcaktimin e qëllimeve dhe qartësimin e rrugëtimit të tyre si ndërmarrës. Periudha e inkubimit për këto biznese ishte mëse e nevojshme duke marrë parasysh që ekipet në fillim erdhën vetëm me idetë e tyre, dhe gjatë programit u avancuan dhe arritën deri në lansimin e startup bizneseve.
Demo Day, ngjarja e cila shënjoi përfundimin e kohortës së dytë, dhe në të cilën ekipet prezantuan punët e tyre para organizatave partnere, mentorëve të programit dhe publikut të gjerë.
Enis Qafëleshi, Drejtor Ekzekutiv i MICP, hapi eventin duke thënë. “Ky program nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e GIZ Kosovo, ITP Prizren dhe DTC, si dhe mbështetja nga Komuna e Prizrenit dhe Swiss EP Kosova, prandaj në emër të Makerspace Innovation Center Prizren, shpreh falenderimin për të gjithë ata që mbështetën këtë program. Iu uroi të gjithë startup-eve të vazhdojnë punën e tyre me vullnet, konsistencë dhe punë të mirë për të ndriquar të ardhmen e tyre prej ndërmarrësish.”
Në anën tjetër z. Hans Juergen Cassens, Drejtor i ITP, mirëpriti të ftuarit dhe publikun duke thënë “Faleminderit për ftesën, unë sot kam ardhur këtu si përfaqësues i ITP Prizren dhe GIZ Kosovo, si dy nga mbështetësit e këtij projekti. Këtu në ITP Prizren gjithmonë jemi munduar të krijojmë një ambient dinamik me punë dhe inovacion, e falë partnerëve si Makerspace Innovation Center Prizren ne kemi arritur qëllimet tona. Unë besoj se me MICP dhe partnerë të tjerë kyç do të kontribuojmë në zhvillimin dhe rritjen e këtij komuniteti inovativ, në të ardhmen e Prizrenit. Prandaj dua të ju falenderoj në emër të partneritetit dhe punës së palodhur, uroj të punojmë përsëri në të ardhmen për realizimin e projekteve të tilla, faleminderit”.
Në këtë ngjarje pritëm edhe Kryetarin e Komunës së Prizrenit z. Shaqir Totaj, i cili mbështeti këtë program duke ofruar një grant prej 2000 EUR në formë të paisjeve dhe shërbimeve për startup bizneset e këtij programi. Z. Totaj u shpreh duke thënë “Së bashku me Nënkryetarin e Komunës dhe pjesën tjetër të ekipit, diskutonim se si mund të mbështesim inovacionin dhe kreativitetin te të rinjtë dhe të rejat në Prizren, dhe ishim duke kërkuar njerëzit e duhur për të bashkëpunuar për këtë qëllim, ku edhe u njohëm me Makerspace Innovation Center Prizren. Gjatë bashkëbisedimeve e pamë që MICP kishte një vizion të qartë i cili përshtatej me qëllimin tonë. Ne filluam të bashkëpunojmë, dhe rezultatet e kësaj pune po shihen edhe sot në këtë event. Ky projekt solli ide të reja inovative e kreative duke na e dëshmuar që këto projekte duhet të vazhdojnë për të arritur rezultate edhe më të mira në të ardhmen e afërt. Faleminderit partnerëve dhe Makespace Innotion Center Prizren, shpresojmë që së bashku të arrijmë suksese edhe më të mëdha”.
Ndër organizatat partnere për realizimin e “Idea-to-Scale” është edhe Swiss EP Kosova. Arta Istrefi Jahja përfaqësuese e Swiss EP, shtoi “Jam shumë e lumtur të jem sot këtu, duke mbështetur për herë të dytë MICP me projektin ‘Idea-to-Scale’. Zhvillim është fjala kyçe që përkon me MICP, dhe kjo është ajo që ndodhi me bizneset tuaja. Ju duhet të kuptoni që bashkëpunimi është elementi kyç për zhvillimin tuaj personal dhe profesional.”
Gentiana Gashi, Koordinatore e Projektit “Idea-to-Scale”, përmbylli: “Gjatë këtyre 6 muajve inkubimi, ekipet përfituan sesione mentoruese dhe grante për zhvillimin e bizneseve të tyre. Demo Day shënon përfundimin e suksesshëm të këtij programi dhe ka për qëllim të lehtësojë takimet midis startup-eve dhe investitorëve, duke krijuar mundësi për investime dhe partneritete.”
Ky program ndihmoi në zhvillimin dhe lansimin e 11 bizneseve të reja në Prizren dhe më gjerë, duke ngritur mundësitë dhe kapacitetet për të rinjtë dhe të rejat e vendit tonë. Eventi Demo Day e dëshmoi punën dhe sukseset e arritura nga ky program, duke treguar potencialin për zhvillim të mëtejshëm, arritur përmes bashkëpunimit dhe programeve të tilla si “Idea-to-Scale”.
Ky program implementohet nga Makerspace Innovation Center në ITP Prizren, në kuadër të Digital Transformation Center dhe përkrahet nga GIZ Kosovo, Swiss EP Kosovo dhe Komuna e Prizrenit.
Sign up for our newsletter to stay updated and receive the latest news, updates, and valuable insights.