Cem Struja nga Prizreni me startupin "WellscanPro" triumfon në Europë me vendin e dytë dhe çmimin special për Ballkanin Perëndimor!

News

04.12.2024

Revolucionalizimi i shëndetësisë: Vendi i dytë për startupin “WellscanPro” nga Kosova në garën prestigjioze në Budapest

Share

29 Nëntor, 2024, gara prestigjioze në Budapest të Hungarisë EIT Jumpstarter, në finalen e madhe priti ekipe startup nga vende të ndryshme të botës, ndër ta edhe startupin e vetëm nga Kosova “WellscanPro”, me themelues Cem Struja nga Prizreni. Vendi i dytë dhe njëkohësisht çmimi special për Vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë garë iu nda Cem-it dhe ekipit të tij me idenë inovative në kategorinë e shëndetësisë, e cila përdor inteligjencën artificiale për të siguruar të dhëna shëndetësore të pacientëve edhe nga shtëpia. Ky produkt përdor IA-në për të ofruar rezultate të shpejta dhe të sakta nga teste të urinës, duke e bërë kujdesin shëndetësor më të qasshëm dhe të lehtë për të gjithë.  

       

Themeluesi Cem Stuja, si pjesëmarrës i edicionit të dytë të programit Idea-to-Scale, një program inkubimi për startup biznese e implementuar nga Makerspace Innovation Center, e përkrahur nga Komuna e Prizrenit dhe GIZ Kosovo, ka përfituar një sërë resursesh nga kjo mundësi. Ky program ka fuqizuar startupin e tij, duke i mundësuar të ndjek një rrugëtim drejt rritjes dhe zhvillimit edhe në platforma ndërkombëtare. Si një startup premtues i programit ekipi kanë ndjekur udhëzimet nga ekspertë të huaj dhe vendorë, të cilët kanë ndarë eksperienca dhe këshilla strategjike për zhvillim të mëtejshëm të kësaj zgjidhjeje.

Rrugëtimi i Cem-it si ndërmarrës ka filluar nga pasioni i zgjidhjes së problemeve në industrinë e shëndetësisë. Si profesionistë të kësaj fushe, ai dhe ekipi e kanë integruar inteligjencën artificiale në këtë produkt, i cili analizon testin urinar duke ofruar rezultate dhe rekomandime të personalizuara për përdoruesin. “Produkti ynë kryesor është një aplikacion celular që lehtëson konsultimet online me profesionistët e kujdesit shëndetësor, duke u mundësuar përdoruesve të marrin këshilla dhe mbështetje mjekësore nga shtëpitë e tyre. Ky shërbim është i përshtatur për demografi të ndryshme, duke përfshirë pacientët nga zona të ndryshme, profesionistë të zënë me punë dhe këdo që kërkon zgjidhje të përshtatshme të kujdesit shëndetësor. Me punën që po e bëjmë së bashku me ekipin, ne synojmë të zgjidhim kompleksitetin që po shfaqet në këtë fushë. E ardhmja për WellScanPro duket premtuese, pasi kërkesa për zgjidhje të tilla në telemjekësi janë në rritje e sipër.”, u shpreh ai. 

Programi “Idea-to-Scale”

E shtrirë në dy edicione, ku u akomoduan rreth 20 startupe, Idea-to-Scale është platformë e preferuar e shumë ndërmarrësve vizionarë që dëshirojnë ta zhvillojnë idenë e tyre biznesore. Programi është dizajnuar enkas për startupe të cilët kanë nevojë për resurse esenciale si mentorimi, validimi i tregut dhe krijimi i strategjive zhvillimore, qasje në fonde, mundësi rrjetëzimi e mbështetje nga profesionistë të fushave të përbashkëta.

   

Rrugëtimi drejt ndërtimit të një startupi të suksesshëm për ju mund të nis në edicionin e tretë të Idea-to-Scale, ku së shpejti publikohet thirrja e re për këtë program në kanalet zyrtare të Makerspace Innovation Center Prizren. 

From the blog

Stay in the know.