Certifikohet grupi i tretë i kandidatëve nga trajnimi profesional në Video Editim, në kuadër të bashkëpunimit me projektin Kosovo Digital Economy (KODE)

News

20.11.2024

Prizren, 19 nëntor 2024 u certifikuan 22 kandidatë të rinj nga grupi i tretë i trajnimit për video editim.

Share

Ky bashkëpunim synoi trajnimin dhe aftësimin e të rinjëve dhe të rejave në Prizren dhe rajon në fushën e video editimit, duke ofruar trajnim profesional pa pagesë. Me certifikimin e grupit të tretë të kandidatëve numërojmë 56 të certifikuar në shkathtësi teknike dhe shkathtësi të buta, të cilat rezultojnë në zhvillimin dhe përgatitjen adekuate të kandidatëve për tregun e punës. 

Në kurrikulën e trajnimit u përfshinë temat si: hyrje në botën e video editimit, Adobe Premiere Pro CC, përpilimi i një projekti, importimi i materialeve, organizimi i materialeve, zotërimi i bazave të video editimit, puna me sekuenca, shtimi i tranzicioneve, teknika të avancuara të editimit, editimi dhe miksimi i zërit, efektet vizuale, përmirësimi i sekuencave me rregullim të ngjyrave, teknikat e kompozicionit, menaxhimi i projekteve, eksporti i kornizave, klipeve dhe sekuencave etj.

Nga grupi i parë dhe i dytë i trajnimit kemi pranuar 126 aplikime prej të cilëve 60 u testuan për të vlerësuar njohuritë e tyre paraprake në fushën e video editimit. Përfituesit e trajnimit në këto grupe filluan sesionet e para në dhjetor të vitit 2023 duke ndjekur 165 orë në shkathtësi teknike, dhe 35 orë në shkathtësi të buta duke përfunduar në maj të vitit 2024. Numri i kandidatëve të certifikuar nga ky grup është 34.

Në grupin e tretë nga ky program kemi pranuar 115 aplikime, prej të cilëve pas fazës së testimit u pranuan 25 kandidatë. Përfituesit e këtij grupi filluan sesionet e para në korrik të vitit 2024, dhe përfunduan në nëntor të vitit 2024 duke u certifikuar 22 prej tyre. Për nder të certifikimit të grupit të fundit nga ky projekt, u organizua një ceremoni modeste ku pritëm përfaqësues të projektit KODE, dhe mysafirë të kompanive partnere. 

Arbër Kryeziu, bashkëthemelues i Makerspace Innovation Center Prizren, shprehu urimet e tij për suksesin e pjesëmarrësve në certifikimin nga trajnimi. Ai vlerësoi grupin si një nga më të suksesshmit krahasuar me grupet e mëparshme, duke theksuar se kjo ishte një arritje e cila i bënte të ndiheshin krenarë për kontributin e tyre si qendër e inovacionit. Ai gjithashtu theksoi se, pavarësisht përfundimit të trajnimit, MICP do të vazhdojë të mbajë dyert hapur për ta dhe i inkurajoi për çdo lloj bashkëpunimi apo këshillimi të mëtejshëm në karrierën e tyre profesionale.

Fanol Shala, përfaqësues nga KODE, theksoi se programi YOU, prej të cilit pjesëmarrësit kishin përfituar trajnimin, ishte një nga projektet e KODE-s. Ai shfrytëzoi rastin për të falënderuar Makerspace Innovation Center për punën e bërë me pjesëmarrësit dhe për rezultatin e arritur.

Anita Thaqi dhe Resul Berisha, të certifikuar në trajnimin për video editim nga grupi i tretë, ndanë përshtypjet e tyre për ndikimin e programit në zhvillimin profesional. Anita theksoi se pjesëmarrja në trajnim kishte ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e saj në fushën e videografisë, duke vlerësuar softuerët e mësuar si mjete të përshtatshme për të depërtuar në tregun e punës. Nga ana tjetër, Resuli e cilësoi procesin e trajnimit si një metodë të duhur për të aftësuar pjesëmarrësit me shkathtësitë e kërkuara nga tregu i kësaj fushe, duke falënderuar trajnerët për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre gjatë gjithë rrugëtimit.

Programe të tilla në fushat digjitale po vazhdojnë të sjellin ndikim pozitiv në aftësimin e të rinjve dhe të rejave në Prizren, duke rezultuar në profesionistë të mirëfilltë në fushat e tyre të përzgjedhura. Të gjithë partnerët / bizneset të interesuar për të punësuar video editorë mund të na kontaktojnë përmes info@makerspaceprizren.com ose +383 49 473 001

Me mbështetje të Projektit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE) dhe programit të tij Youth Online and Upwards (YOU), trajnimet për këtë program janë ofruar tërësisht falas.

From the blog

Stay in the know.