Mbështetja e Zhvillimit të Produkteve me Inteligjencë Artificiale (AI)

Mundësi për bizneset e reja Startup dhe ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME)

Project type

Public notices

Publication Documents

Download

Makerspace – Innovation Center Prizren hap thirrjen për aplikim për mbështetje për zhvillim të produkteve teknologjike të lidhura me Inteligjencë Artificiale (AI) për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe ato startup.

Kjo mbështetje përkrahet nga GIZ Kosovo dhe implementohet nga Makerspace Innovation Center Prizren.

Kjo thirrje synon të mbështesë startup-et dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) në sektorë si shitja dhe tregtia, prodhimi, industria kreative dhe turizmi në integrimin e teknologjive të inteligjencës artificiale në produktet, shërbimet dhe proceset e tyre të biznesit. Përmes mentorimit, këshillimit nga ekspertë dhe mbështetjes teknike, përfituesit do të kenë mundësinë të zhvillojnë ose përmirësojnë zgjidhje inovative që rrisin efikasitetin, konkurrueshmërinë dhe vlerën e produkteve të tyre në treg.

Nëpërmjet kësaj iniciative synohet të nxitet inovacioni teknologjik, të forcohen kapacitetet e bizneseve për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe të kontribuohet në zhvillimin e një ekosistemi më të avancuar të inovacionit dhe sipërmarrjes në Prizren dhe më gjerë.

 

Thirrje për aplikim

Synimi i përgjithshëm i kësaj thirrjeje për aplikime është krijimi i kushteve për mbështetjen e startupeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në integrimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve të bazuara në Inteligjencë Artificiale (AI) në bizneset e tyre, në Komunën e Prizrenit.

Synimet specifike të thirrjes janë:

  1. Të mbështeten 4 entitete (startup-e dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme) në zhvillimin ose integrimin e zgjidhjeve të bazuara në Inteligjencë Artificiale.
  2. Të stimulohet inovacioni dhe përdorimi i teknologjive të avancuara në sektorët e shitjes, prodhimit, industrisë kreative dhe turizmit.
  3. Të ofrohet mentorim teknik dhe biznesor për bizneset pjesëmarrëse përmes trajnimeve, punëtorive dhe mbështetjes nga ekspertë të fushës.
  4. Të mundësohet transformimi digjital i bizneseve pjesëmarrëse përmes integrimit të zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në operacionet e tyre.
  5. Të promovohet bashkëpunimi dhe rrjetëzimi ndërmjet bizneseve, duke kontribuar në zhvillimin e një ekosistemi inovativ të ndërmarrësisë.

Rregullat e thirrjes:

Kjo thirrje përcakton rregullat për përpilimin, dorëzimin dhe përzgjedhjen e bizneseve që

përfitojnë nga kjo mbështetje.

Ekzistojnë tri tërësi të kritereve për kualifikim:

  1. Aplikantët që mund të aplikojnë në këtë thirrje;
  2. Veprimet dhe sektorët për të cilët jepet mbështetja;
  3. Procesi i përzgjedhjes. 

Përfitimet e mbështetjes

  • Ndërhyrje teknike (zhvillim) për përmirësimin dhe optimizimin e proceseve të punës duke shfrytëzuar teknologjitë e Inteligjencës Artificiale (AI).
  • Zhvillim ose integrim të zgjidhjeve të AI për analiza të të dhënave, automatizim të proceseve dhe përmirësim të vendimmarrjes.
  • Analizë teknike e proceseve ekzistuese të biznesit për të identifikuar mundësitë e automatizimit dhe përdorimit të AI.
  • Mbështetje në zhvillimin e prototipeve ose MVP-ve (Minimum Viable Product) për produkte apo shërbime të bazuara në AI.
  • Integrim të mjeteve dhe platformave digjitale për menaxhimin e të dhënave dhe optimizimin e proceseve operative.
  • Trajnime teknike për përdorimin e mjeteve të Inteligjencës Artificiale, përfshirë analiza të të dhënave, automatizim dhe përdorim të platformave AI.
  • Testim dhe validim të zgjidhjeve të zhvilluara, për të siguruar funksionalitetin dhe efektivitetin e tyre në operacionet e biznesit.
  • Këshillim teknik për integrimin e AI në sistemet ekzistuese të biznesit dhe për optimizimin e infrastrukturës digjitale.

Kualifikimi i aplikantëve: Kush mund të aplikojë?

Kategoria e bizneseve që mund të aplikojnë:

  • Bizneset e reja Startup;
    • Të jetë biznes i regjistruar me së paku 2 deri në 49 punëtorë, që dëshmon maturitet të mjaftueshëm digjital (do të vlerësohet) dhe të jetë i gatshëm të ndajë informata të mjaftueshme për realizimin e qëllimeve të projektit.
  • Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (SME);
    • Të jetë biznes i regjistruar me produkt të validuar dhe të dëshmojë që ka përdorues apo klientë aktiv.

1.1 Aplikantët që nuk kualifikohen

Aplikantët/et që nuk mund të marrin pjesë në thirrje janë të renditur si në vijim:

  • Banorët nga ndonjë komunë tjetër.
  • Bizneset që operojnë jashtë sektorëve të përcaktuar në këtë thirrje.
  • Bizneset që janë të përfshira në aktivitete të paligjshme.
  • Bizneset që nuk demonstrojnë interes ose potencial për përdorimin e inteligjencës artificiale në biznesin e tyre.
  • Startupet që nuk kanë shitje ose asnjë përdorues beta nuk kualifikohen.

Sektorët që mund të aplikojnë

Aplikimi mund të bëhet vetëm nga bizneset startup dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) në sektorin e shitjes me pakicë, prodhimit, industrisë kreative dhe turizmit.

Aplikimi nga bizneset e sektorëve të tjera, nuk janë të pranueshme.

 

2.1 Lokacioni

Aplikimi është i hapur për kompani nga e gjithë Kosova, por, përparësi do të kenë kompanitë që vijnë nga regjioni i Komunës së Prizrenit.

 

2.2 Numri i aplikimeve për aplikant/e

Një aplikant/e mund të dorëzojë vetëm një aplikacion në këtë thirrje.

 

2.3 Si të aplikohet dhe procedurat që duhet ndjekur.

Formulari i aplikimit

Aplikantët duhet të mbushin formularin e aplikimit online duke përdorur formën e regjistrimit, e cila publikohet në web-faqen zyrtare bashkë me linqet dhe detajet e tjera për procesin. Aplikantët duhet t’i përmbahen saktë formatit të formularit të aplikimit dhe të plotësojnë secilin paragraf  me rend. Faqet tona zyrtare janë publike dhe të qasshme për të gjithë aplikuesit.

LINKU I FORMULARIT PËR APLIKIM

Aplikacionet e shkruara me dorë nuk do të pranohen.

 

Procesi i përzgjedhjes dhe kriteret e vlerësimit

Faza e vlerësimit të aplikacioneve do të përfshijë kontrollin administrativ, kontrollin e

kualifikueshmërisë dhe vlerësimin final. Procesi i kontrollit teknik do të vërtetojë nëse

aplikuesi/ja ka paraqitur dokumentet e kërkuara me këtë udhëzues dhe nëse ai/ajo ka respektuar kriteret e kualifikueshmërisë.

Koha e aplikimit:

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 19.03.2026.

Pyetjet eventuale mund të dërgohen në emailin vijues: info@makerspaceprizren.com ose

nëpërmjet telefonit zyrtar tel: 049473001 deri më 18.03.2026, ora 17:00.

Data e publikimit: 06.03.2026