Përfundon me sukses trajnimi për Video Editim - E ardhmja profesionale për video editorët e rinj

News

08.05.2024

Certifikohen 34 kandidatë nga trajnimi për video editim nga Makerspace Innovation Center Prizren në një ceremoni modeste me datë 8 maj, 2024

Share

Ky trajnim kishte për qëllim aftësimin e të rinjve, studentëve, të papunësuarëve dhe të nënpunësuarëve në fushën e Video Editimit, duke iu dhënë mundësinë e zhvillimit dhe krijimit të një karriere të re në tregjet digjitale. Programi ishte i ndarë në dy pjesë duke mbuluar temat kyçe për realizimin e qëllimit të programit, pra duke përgatitur kandidatë profesional dhe të gatshëm për të filluar punën e tyre në kompani të ndryshme të marketingut apo të fillojnë karrierën në tregjet online duke punuar në mënyrë të pavarur.

Pjesa e shkathtësive teknike është përbërë prej 165 orëve akademike gjatë të cilave kandidatët patën mundësinë të eksplorojnë botën e gjerë të video editimit duke punuar me softuerët më të avancuar të fushës, duke krijuar projekte të ndryshme, duke mësuar editimin, montazhimin si dhe krijimin e sekuencave të ndryshme audio-vizuale. Në fund të kësaj faze kandidatët iu nënshtruan provimit final për të cilin përgatitën projekte profesionale, duke përfunduar me sukses fazën e shkathtësive teknike.

Faza e dytë e programit në shkathtësitë e buta është përbërë prej 35 orëve akademike prej të cilave kandidatët patën mundësi të mësonin për aftësitë e ndryshme komunikuese, shkathtësitë analitike, menaxhimin e projekteve, lidershipi, si të krijojnë një profil online dhe si të identifikojnë pozita dhe mundësitë e punësimit në internet, si ta ndërtojnë dhe mirëmbajnë reputacionin online dhe të tjera që rezultuan në formësimin profesional të kandidatëve.

Arbër Kreziu, bashkëthemelues dhe Drejtor i Operacioneve në Makerspace Innovation Center Prizren bëri hapjen e ceremonisë duke mirëpritur dhe falënderuar të ftuarit, ndërsa Valbon Kizolli, përfaqësues nga projekti KODE u shpreh duke thënë se “Ju përgëzoj të gjithëve për përfundimin e trajnimit, për kalimin nga titulli kandidatë në të certifikuar në fushën e video editimit. Uroj që të ju shohim të gjithëve në tregun e punës, siç edhe ishte qëllimi i trajnimit, të gjejmë njerëz që kanë nevojë për punë, njerëz energjik dhe të vullnetshëm. Qëllimi i programit KODE është që të trajnojë dhe aftësojë 2000 të rinj në Kosovë në fushat e TIK-ut, andaj urime për juve që përfaqësoni Pizrenin në këtë projekt.”

 

Duke parë dhe uruar arritjet e kandidatëve të këtij trajnimi, Muhidin Xhezairi trajner në Video Editim tha se, “Kurrikula e trajnimit është e ndërtuar në atë mënyrë që të fillojë prej elementeve bazë, pra të jetë e qartë edhe për fillestarët, dhe fillon të vështirësohet duke filluar edhe me programet e tjera, pra përveq Premiere Pro kalojmë edhe në Audition për të mësuar modifikimin e zërit. Pas kësaj fillojmë të punojmë me After Effect, Photoshop dhe programe të ndryshme të pakos Adobe, të cilat mund të integrohen në editimin e videos duke krijuar projekte të ndryshme. E gjitha kjo punë bëhet me qëllimin e krijimit të në profili të plotë të një video editori/je, që është i/e aftë për t’u kyqur në treg të punës brenda apo jasht vendit.”

Meral Cukiqi, e certifikuar nga ky trajnim theksoi se, “Ky trajnim për mua ishte një mundësi shumë e mirë për t’u aftësuar në video editim, duke parë se trajnimi ishte i ndarë në dy faza dhe të dyja ofronin mësime të vlefshme për të gjithë ne pjesëmarrësit. Pjesëmarrja ime në këtë trajnim më ofroi shkathtësitë e duhura për të filluar karrierën time në këtë fushë, duke plotësuar të gjitha kërkesat për të përmbushur një video editor të aftë.”

Enis Beshi, një tjetër kandidat i certifikuar u shpreh pozitivisht për eksperiencën e tij në trajnim, duke theksuar se ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme nga e cila ka përfituar njohuri të cilat do t’i përdor për një kohë të gjatë.

 

Programe të tilla në fushat digjitale po vazhdojnë të sjellin ndikim pozitiv në aftësimin e të rinjve dhe të rejave në Prizren, duke rezultuar në profesionistë të mirëfilltë në fushat e tyre të përzgjedhura. Të gjithë partnerët/bizneset të interesuar për të punësuar video editorë mund të na kontaktojnë përmes info@makerspaceprizren.com ose +383 49 473 001.

Ky trajnim u mundësua nga Programi YOU i cili është pjesë e Projektit KODE që implementohet nga Ministria e Ekonomisë dhe mbështetet nga Banka Botërore.

From the blog

Stay in the know.