Programi “Idea-to-Scale” nis me workshopin e parë mentorues, trajtohet tema “Business Model Canvas”

News

09.05.2025

Programi i inkubimit për startup-e “Idea-to-Scale” ka filluar zyrtarisht me një workshop intensiv mentorues

Share

Programi i inkubimit për startup-e “Idea-to-Scale” ka filluar zyrtarisht me një workshop intensiv mentorues, i cili u mbajt në hapësirat e Makerspace Innovation Center Prizren. Ky sesion shënon hapin e parë të një rrugëtimi për bizneset e reja dhe ndërmarrësit e rinj që janë përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij programi.

Në fokus të këtij workshopi ishte tema “Business Model Canvas” – një metodologji e njohur ndërkombëtarisht për analizimin dhe ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm biznesi. Ky mjet i ndihmon themeluesit të kuptojnë më mirë strukturën e biznesit të tyre, vlerën që ofrojnë për klientët, segmentet e tregut që synojnë, si dhe burimet, partnerët, dhe kanalet që do të përdorin për të arritur qëllimet e tyre.

Mentorja e këtij sesioni ishte Arta Istrefi, eksperte në fushën e zhvillimit të bizneseve dhe inovacionit. Ajo ndau njohuritë e saj përmes një qasjeje praktike, duke i angazhuar pjesëmarrësit në diskutime interaktive dhe ushtrime konkrete mbi modelet e tyre të biznesit.

“Ky workshop është një hap i rëndësishëm për pjesëmarrësit, pasi i ndihmon të kuptojnë në mënyrë të strukturuar idenë e tyre. Business Model Canvas është domosdoshmëri për të gjitha startup-et, është udhëzuesi i parë, dokumenti i gjallë që i ndihmon bizneseve ta planifikojnë më mirë biznesin e tyre.” u shpreh mentorja Istrefi.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të paraqesin idetë e tyre, të marrin feedback direkt dhe të reflektojnë mbi mënyrën se si mund ta bëjnë modelin e tyre të biznesit më efikas dhe të përshtatshëm për tregun.

“Idea-to-Scale” implementohet nga Makerspace Innovation Center Prizren dhe përkrahet nga GIZ Kosovo, ITP Prizren dhe Komuna e Prizrenit.

From the blog

Stay in the know.