21.08.2026
Makerspace Innovation Center Prizren (MICP) ka përmbyllur me sukses ciklin e parë të Data Science Bootcamp, me 19 pjesëmarrës që përfunduan programin dhe u pajisën me certifikata.
Gjatë disa muajve të trajnimit, pjesëmarrësit kanë kombinuar njohuritë teorike me punën praktike dhe zhvillimin e projekteve, duke ndërtuar aftësi në fusha si analiza e të dhënave, programimi, përpunimi dhe vizualizimi i të dhënave, si dhe përdorimi i teknologjive të Data Science.
Përmbyllja e programit u shënua me Data Science Hackathon, ku pjesëmarrësit u ndanë në ekipe dhe punuan në zhvillimin e zgjidhjeve të bazuara në të dhëna. Përmes këtij aktiviteti, ata patën mundësinë të aplikojnë në praktikë njohuritë e fituara gjatë trajnimit, duke prezantuar zgjidhjet e tyre para audiencës dhe duke demonstruar aftësitë në analizë, zgjidhje të problemeve dhe bashkëpunim në ekip.


Ceremonia e certifikimit ishte gjithashtu një mundësi për të falënderuar partnerët dhe mbështetësit që kanë kontribuar në realizimin e kësaj iniciative. Patëm kënaqësinë të mirëpresim përfaqësues dhe mbështetës të projektit z. Shaqir Totaj nga Komuna e Prizrenit, Majlinda Rizvanolli – Bajraktari nga Swisscontant – projekti Matching Skills to Jobs (MSJ), si dhe Rebecca Satterfield, mysafire e veçantë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Programi u realizua nga Makerspace Innovation Center Prizren, i licencuar nga CNM Ingenuity (SHBA), me mbështetjen e Komunës së Prizrenit dhe Swisscontact përmes projektit Matching Skills to Jobs (MSJ). Ky bashkëpunim ka mundësuar sjelljen e një programi të avancuar të Data Science në Kosovë dhe krijimin e një mundësie konkrete për zhvillimin e aftësive të kërkuara nga tregu i punës.


Për ne, përfundimi i grupit të parë është vetëm fillimi. Përmes këtyre programeve synojmë të vazhdojmë ndërtimin e kapaciteteve vendore në Data Science, të forcojmë lidhjen mes aftësive digjitale dhe tregut të punës dhe të krijojmë më shumë mundësi për profesionistët që duan të zhvillohen në këtë fushë.
Sign up for our newsletter to stay updated and receive the latest news, updates, and valuable insights.