6 vite aktivitet nga Makerspace Innovation Center Prizren

News

09.02.2024

Festojmë 2000 ditë punë, shërbim dhe sukses për komunitetin tonë

Share

Në vitin 2017, në Prizren u themelua qendra multifunksionale e teknologjive moderne “Makerspace Innovation Center Prizren”. E nisur nga disa të rinj pasionantë dhe me vullnet të pa matshëm për edukim, zhvillim dhe ngritje të kapaciteteve të të rinjëve dhe të rejave të Prizrenit, duke ofruar trajnime, resurse profesionale, hapësira pune e mbi të gjitha përkrahje të vazhdueshme drejt avancimit profesional. Aspiratat për një të ardhme më të mirë ishin burimi kryesor i vullnetit dhe energjisë, për të hedh në pah punën e pa lodhshme ndër vite. 

Me një varietet të gjerë të programeve dhe aktiviteteve, qendra ka një impakt të ndjeshëm në rritjen e potencialit të të rinjve. Në një kohë ku inovacioni dhe krijimtaria janë epiqendra e zhvillimit të të rinjve, kjo qendër ka hapur dyert për të gjithë të rinjtë e qytetit, duke krijuar mundësi për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e projekteve të reja me fokus të theksuar te komuniteti dhe të rinjtë kreativë të Prizrenit dhe më gjerë. Përmes programeve inovative si në trajnime me fokus në punësim, programe në mbështetje të ndërmarrësisë dhe startup bizneseve, hapësirat moderne të ofruara për punë dhe ngjarje të rëndësishme me theks në komunitet, Makerspace Innovation Center Prizren ka ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e një ekosistemi divers dhe të mirëfilltë. 

Si qendër e vetme e llojit të tillë në Prizren, këtu ofrohet një sërë komponentesh që i ndihmojnë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre në fushën e inovacionit, ndërmarrësisë, dhe digjitalizimit. Këto komponente përfshijnë trajnime, programe në ndërmarrësi, hapësira të përbashkëta për punë, ngjarje të komunitetit dhe programet në digjitalizim.

Trajnimet:

Këto trajnime janë të dizajnuara për të përgatitur pjesëmarrësit për tregun e sotëm të punës dhe për t’u pajisur me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme të industrive moderne. Programet aktuale të trajnimeve janë të profilizuara në fushat e programit dhe dizajnit grafik në kuadër të programit PowerUp: Digital Career, njëherit programi më i madh i trajnimeve në Prizren me fokus të veçantë te punësimi dhe trajnimet në fushën e video editimit, në partneritet me programinYOU që realizohet në kuadër të Projektit KODE, i cili implementohet nga Ministria e Ekonomisë dhe mbështetet nga Banka Botërore. Një gamë e gjerë e trajnimeve të ofruara përfshin edhe fushat si operim me makina CNC, 3D modelim dhe printim, fotografi, menaxhim të rrjeteve sociale, kontabilitet me softuer dhe tatime, etj.     

 

Programet në ndërmarrësi:

Programet e ndërmarrësisë që Makerspace Innovation Center Prizren ofron për të rinjtë janë po aq të rëndësishme, duke marrë parasysh që qëllimi i tyre është të njoftojë pjesëmarrësit me metodat e trendet më të reja në treg të ndërmarrësisë. Idea to Scale, program i cili implementohet nga Makerspace Innovation Center Prizren në ITP Prizren në kuadër të Digital Transformation Center dhe përkrahet nga GIZ Kosovo, Komuna e Prizrenit dhe Swiss EP Kosovo, plani i të cilit është inkubimi i bizneseve startup, duke iu ofruar resurse të ndryshme dhe përkrahje deri në lansim të biznesit. Në anën tjetër, programi “Mbështetja dhe fuqizimi i bizneseve të sektorit të mobilierisë përmes digjitalizimit” po mbështet 15 biznese të reja, startup, mikro dhe të vogla, duke organizuar sesione me mentor profesionist të fushave, takime individuale me mentorët etj. Këto programe kanë rëndësi të madhe në zhvillimin dhe avancimin e bizneseve dhe ndërmarrësive, për të cilat krijohen mundësi rrjetëzimi me profesionistë që ndajnë fusha dhe perspektiva të ngjashme zhvillimi.

 

Hapësira të përbashkëta për punë – ITP Coworking Space:
Hapësira e punës moderne, ku inovacioni takohet me bashkëpunimin në një hapësirë pune dinamike të krijuar për të frymëzuar dhe ngritur përvojën tuaj të punës. Kjo hapësirë për bashkëpunim është më shumë se një vend për të punuar; është një komunitet i gjallë i profesionistëve, sipërmarrësve dhe entuziastësh me të njëjtin mendim, të cilët bashkohen për t’u rrjetuar, për të ndarë një hapësirë moderne dhe për të zbuluar një koncept krejt të ri që plotëson nevojat e tyre profesionale.

 

Ngjarjet me komunitetin:

Këto ngjarje ofrojnë mundësi për të rinjtë, për të njohur njëri-tjetrin, për të ndarë ide dhe për të mësuar nga eksperiencat e tyre. Ato promovojnë bashkëpunimin dhe ndikojnë në zhvillimin e një kulture inovative në qytetin e Prizrenit. Të organizuara me qëllime si bashkëpunimi, rrjetëzimi, shkëmbimi të ideve ndërmjet entuziastëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme këto ngjarje shënojnë krijimin e hapësirave që i inkurajon këta entuziastë të eksplorojnë potencialin e tyre në çfarëdo fushe që ata e synojnë. 

   

Programet në digjitalizim:

Programet e digjitalizimit që ofrohen kryesisht për bizneset janë një pjesë e rëndësishme e Makerspace Innovation Center Prizren. Ato synojnë të ndihmojnë bizneset në përdorimin e teknologjisë informative për të përmirësuar veprimtarinë e tyre, të rrisin efikasitetin dhe të hapin rrugën për inovacionin dhe rritjen e tyre në treg. Përmes programit “Bashkëpunimi Ndërkufitar Nëpërmjet Transformimit Digjital dhe Promovimit të Eko-Turizmit në Shtegun High Scardus”, me 16 përfitues të përzgjedhur do të kalojnë procesin e transformimit digjital, bizneset nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të përfitojnë shërbime të ndryshme të cilat do të kenë ndikim në pozicionimin e tyre në sektorin e turizmit dhe avancimin e ofertës së tyre. Derisa “Mbështetja dhe fuqizimi i bizneseve të sektorit të mobilerisë përmes digjitalizimit’’, shënohet si program tjetër digjitalizimi, me 15 biznese përfituese të mobilerisë dhe fushave të ngjajshme, të cilët do të kenë qasje te një sërë përfitimesh që ofrohen për kategoritë e bizneseve starup, biznese mikro dhe të vogla.

Në këtë 6 vjetor, ndajmë përjetimet e përbashkëta, sukseset, sfidat dhe arritjet që kemi shënuar deri sot! Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e rrugëtimit tonë! 

From the blog

Stay in the know.